Haradinaj falënderon Gjermaninë për qëndrimin e palëkundur kundër idesë për ndryshimin e kufijve
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka takuar sot në Nju Jork përfaqësuesin e përhershëm të Gjermanisë në Kombet e Bashkuara, Christoph Heusgen, me të cilin ka diskutuar për proceset politike nëpër të cilat po kalon Kosova, dialogun me Serbinë dhe zgjedhjet e 6 tetorit.
Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka treguar se ka falënderuar ambasadorin Heusgen për qëndrimin e palëkundur të Gjermanisë dhe kancelares Angeka Merkel kundër idesë për ndryshimin e kufijve dhe angazhimin konkret për rikthimin e dialogut pa kushte Kosovë – Serbi.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Në frymën e vazhdimit të bashkëpunimit dhe mbështetjes, sot në New York takova Përfaqësuesin e përhershëm të Gjermanisë në Kombet e Bashkuara, Christoph Heusgen, me të cilin diskutuam për proceset politike nëpër të cilat po kalon Kosova, dialogun me Serbinë, zgjedhjet e reja në vend dhe partnertetin strategjik që Kosova e ka ndërtuar, veçmas viteve të fundit me shtetin gjerman.
E falënderova Ambasadorin Heusgen për qëndrimin e palëkundur të Gjermanisë dhe kancelares Angeka Merkel kundër idesë për ndryshimin e kufijve dhe angazhimin konkret për rikthimin e dialogut pa kushte Kosovë – Serbi.
Kosova është e përkushtuar, krah me aleatët strategjik që të vazhdojë rrugën e saj euroatlantike, fuqizimin e brendshëm dhe afirmimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar, si dhe për paqe e stabilitet rajonal.