Haradinaj falënderon kryeministrin bullgar për qëndrimin parimor ndaj Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka falënderuar kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borissov, për qëndrimin parimor ndaj Kosovës dhe të drejtës për të qenë pjesë e familjes evropiane.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se vendimi që samiti i ardhshëm të ketë nikoqir Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut e bën edhe më domethënës procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor.
“E përkrah fuqishëm vizionin e kryeministrit Borissov për një Evropë gjithëpërfshirëse, që shkon përtej mendësive të shekullit të kaluar, mendësi që kanë krijuar tragjedi dhe përjashtime”, ka shkruar Haradinaj.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Shpreh respekt të veçantë për kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borissov, për qëndrimin parimor ndaj Kosovës dhe të drejtës sonë për të qenë pjesë e familjes evropiane. Vendimi, që samiti i ardhshëm të ketë nikoqir Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut e bënë edhe më domethënës procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor. Kosova është pjesë e rëndësishme e këtij procesi dhe rreshtohet krah aleatëve si vlerë e shtuar e integrimit të rajonit në BE. Njohja reciproke me Serbinë në kufijtë ekzistues, do të hapte perspektivën tonë. E përkrah fuqishëm vizionin e kryeministrit Borissov për një Evropë gjithëpërfshirëse, që shkon përtej mendësive të shekullit të kaluar, mendësi që kanë krijuar tragjedi dhe përjashtime. Pa përfshirjen e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor, si pjesë përbërëse të familjes evropiane, BE nuk do të jetë e plotë. Faleminderit Boyko!