Haradinaj: Familja Bytyqi e ka përkrahjen e parezervë të Qeverisë
Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur sot në takim Ilir Bytyqin, vëllanë e Yll, Mehmet e Agron Bytyqi, të cilët ishin pjesë e batalionit ‘Atlantiku’ gjatë luftës në Kosovë, dhe që u vranë nga forcat serbe.
“Në thelb të sakrificës së vëllezërve Bytyqi, të vrarë nga forcat serbe, qëndron dimensioni i vërtetë i luftës për Kosovën. Heronjtë e Kosovës, Ylli, Mehmeti dhe Agroni braktisën jetën e ndërtuar në ShBA, duke u bërë pjësë e Batalionit “Atlantiku”, për t’iu përgjigjur thirrjes së atdheut”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë vet në “Facebook”.
Ai ka theksuar se familja Bytyqi e ka përkrahjen e parezervë të Qeverisë dhe shtetit të Kosovës në betejën e dytë për ta çuar drejtësinë në vend për krimin e dëshmuar dhe vrasësit ta marrin dënimin e merituar.
“Ilirit, duke i shprehur konsideratat më të larta për kontributin e çmuar të vëllezërve të tij për liri, i dhurova Medaljen Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, ka shkruar Haradinaj.