Haradinaj: Fehmiu dhe Xheva, simbol i qëndresës për liri dhe pavarësi
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar të premten heronjtë Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, në 25-vjetorin e rënies së tyre.
Ai ka thënë se ata ishin simbol i qëndresës dhe krah i fortë i lëvizjes për liri e pavarësi.
“Gjithmonë të parët në rresht, ata luftuan dhe ranë bashkë. Fehmiu dhe Xheva, të cilët kisha fatin edhe t’i njoh nga afër, janë themelet e Kosovës së lirë, Kosovës shtet. I kujtojmë me respektin më të thellë po ashtu bashkëluftëtarët e tyre, Shefqet Zeka e Fatime Hetemi, dhe të gjithë dëshmorët e Brigadës 114, që me krenari mbajti emrin e Fehmi Lladrovcit. Në këtë përvjetor, përulemi me nderim para veprës së tyre heroike. Ata do të jenë gjithmonë udhërrëfyesit tonë në rrugën për ndërtimin e shtetit. Lavdi e përjetshme!”, ka thënë Haradinaj pas homazheve në Gllanasellë të Drenasit.