Haradinaj: Flamuri gjerman do të valojë në Kosovë

13 dhjetor 2018 | 22:55

“Gjermania është një mbështetëse e madhe e Kosovës dhe ajo jo vetëm që përkujdeset për Kosovën, por edhe për rajonin. Është  qëllimi ynë gjithashtu që të vijmë në një ditë, që jo vetëm të absorbojmë nga ju, por të krijojmë së bashku në të gjitha fushat e jetës dhe mund të llogarisni në ne. Për ju kjo është shtëpia juaj çdo herë, vetë Kosova është shtëpia juaj”, kështu tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në ceremoninë pritëse në nderim të KFOR-it gjerman, me rastin e përmbylljes së misionit të tyre në kampin e Prizrenit, duke theksuar se vetëm kontigjenti i Prizrenit po largohet, por roli i KFOR-it gjerman do të vazhdojë edhe më tej.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, tha se sonte janë bërë së bashku për një arsye të veçantë, për t’iu thënë faleminderit Budeswehrit dhe Gjermanisë për shërbimin e tyre, paqen dhe stabilitetin e vendit tonë.

“Por jo vetëm për këtë, e kemi këtu GIZ-in e shumë partnerë tjerë nga ana e Gjermanisë, nga agjencitë gjermane të bashkëpunimit, kështu që në emër të asaj se çfarë kemi në duar, është një infrastrukturë mbi 40 milionë euro në kampin e Prizrenit për ta shfrytëzuar për trajnime, inovacion, biznese, edukim si dhe të vazhdojmë që ta ngrisim sa më lartë siç keni bërë ju ushtarët gjermanë. Ju e keni mbajtur lart flamurin gjerman dhe ne do të dëshirojmë që ta mbajmë sa më lartë atë me projektin e  ri i cili është projekt ekonomik, por që të jemi së bashku”, tha ndër tjerash kryeministri Haradinaj.

Ndërkaq, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, duke shprehur mirënjohje për pritjen e sotme në shenjë falënderimi për shërbimin e ushtarëve gjermanë, tha se ky është një gjest shumë i veçantë, jo vetëm në emër  të Qeverisë së Kosovë, por edhe si gjest i qytetarëve të Kosovës, si dhe atyre nga qyteti i Prizrenit, për t’i thënë lamtumirë kontingjentit të Prizrenit. 

Ambasadori Heldt tha se ndihet krenar që Kosova dhe Gjermania ndajnë përpjekjen e përbashkët të vazhdimit për projekte të reja.

Një fjalë rasti patën edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, si dhe Komandanti i Kontingjentit Gjerman të KFOR-it, nënkolonel Eric Offermann, ndërkaq të pranishëm ishin edhe ministra, zëvendësministra, dhe zyrtarë të tjerë  institucionalë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që njëherit është edhe komandant…