Haradinaj flet për ftesat e Gjykatës Speciale për intervistimin e ish-eprorëve të lartë të UÇK-së
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar ftesat e Gjykatës Speciale për intervistim e disa nga protagonistëve të UÇK-së, duke përfshirë ish-komandantin e Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi, atë të Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku, kryetarit të Gjykatës së UÇK-së, Sokol Dobruna dhe të ish-eprorit të lartë, Nazif Mehmeti.
Ai ka thënë se ftesa për intervistim nga Gjykata Speciale nuk është ndonjë “kiamet” i madh.
“Ftesa për të, apo për të tjerët, kushdo qofshin ata nuk është ndonjë ‘kiamet’. Unë mendoj se qytetarët e Kosovës, nëse më të vërtet i besojnë lirisë të tyre dhe të drejtës nuk kanë pse të shqetësohen. Luftëtarët e lirisë, kushdo që thirret, shkon, i kryen detyrat e veta dhe kthehet. Pra nuk e shoh, po e quaj ndonjë ‘kiamet’ të madh. I kisha lutur të gjithë që ta marrin ketë kështu si e fola”, ka thënë Haradinaj të martën pas mbledhjes së Qeverisë.
Ndërsa duke iu referuar disa deklaratave të Sokol Dobrunës në lidhje me periudhën e luftës, ka thënë se janë të çuditshme.
“Nuk jam pajtuar me disa qëndrime të tij në publik. Shumica e tyre nganjëherë me duken të çuditshme”, ka thënë Haradinaj.
Pavarësisht kësaj, Haradinaj ka vlerësuar lartë rolin e Dobrunës dhe të familjes së tij për lirinë e Kosovës.
/Epoka e re/