Haradinaj: Franca, partnere e rëndësishme në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së
“Kosova është mirënjohëse për kontributin e dhënë ndër vite nga Franca dhe është e përkushtuar që të çojë përpara partneritetin politik, ekonomik dhe diplomatik”, kështu ka deklaruar kryeministri Ramush Haradinaj, gjatë takimit me sekretaren e shtetit pranë ministrit të Forcave të Armatosura të Francës, Genevieve Darrieussecqe, me të cilën ka biseduar për zhvillimet në fushën e sigurisë si dhe aspekte të tjera të bashkëpunimit të mëtutjeshëm.
Kryeministri ka kërkuar mbështetjen e Francës në procesin e liberalizimit të vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, me theks të posaçëm në INTERPOL dhe UNESCO.
Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj e ka njoftuar sekretaren Darrieussecqe për të arriturat e Kosovës në forcimin e sundimit të ligjit, për proceset që po kalon vendi dhe në veçanti për tranzicionin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës.
“Synimi ynë strategjik është të bëhemi pjesë e BE-së dhe NATO-s dhe Francën e shohim si partner në këtë rrugëtim”, është shprehur Haradinaj.
Ndërkaq, sekretarja e shtetit pranë ministrit të Forcave të Armatosura të Francës, Genevieve Darrieussecqe, ka siguruar kryeministrin Haradinaj që shteti francez edhe më tutje do të jetë përkrahës i fuqishëm i të gjitha zhvillimeve në Kosovë, me theks të veçantë atyre të sigurisë.
Sekretarja Darrieussecqe, ka përshëndetur të arriturat në Kosovë që nga periudha e pasluftës, duke theksuar përkushtimin e Francës për mbështetjen e Kosovës në të gjitha proceset integruese.
/Epoka e re/