Haradinaj: Franca përkrahëse e madhe e Kosovës
Për të festuar 10- vjetorin e pavarësisë, në Kosovë po qëndron Bruno Questel, kryesues i grupit të miqësisë Francë-Kosovë, njëherësh përfaqësues zyrtar i presidentit të Francës, Emmanuel Macron.
Sot ai është pritur në takim nga kryeministri Ramush Haradinaj, i cili në emër të popullit të Kosovës ka falënderuar shtetin dhe popullin francez si një partnere e fuqishme dhe përkrahëse e madhe në proceset eurointegruese të Kosovës.
“Franca është me Kosovën që nga koha e luftës me një përkrahje të vazhdueshme. Është ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën dhe ka një pozicion shumë të qëndrueshëm për të drejtën e Kosovës për shpejtimin e Kosovës evropiane”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar z. Questel për proceset aktuale dhe prioritetet e Qeverisë, duke shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e marrëdhënieve bilaterale Francë-Kosovë në planin politik, të sigurisë dhe atë ekonomik në të mirë të dy vendeve dhe rajonit.
Kryetari i grupit të miqësisë Francë-Kosovë në Asamblenë Parlamentare të Francës, Bruno Questel, ka uruar për shënimin e 10- vjetorit të pavarësisë, duke nënvizuar marrëdhëniet e shkëlqyera historike ndërmjet dy vendeve.
“Kam kuptuar kërkesën e autoriteteve vendëse në Kosovë që Franca të vazhdojë mbështetjen dhe të shoqërojë Kosovën drejt realizimit të proceseve që ka vendi juaj”, ka thënë Questel, duke theksuar se Franca ka qenë gjithmonë afër Kosovës dhe gjitha kërkesat e ngritura në këto takime do t’i përcjell te autoritetet franceze.
Questel ka shprehur përkushtimin për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.