Haradinaj: FSK-ja, krah ushtrive të botës
Në shënimin e njëvjetorit të miratimit të Ligjit për Forcën e Sigurisë, Ligjit për Shërbimin në FSK dhe Ligjit për Ministrinë e Mbrojtjes, kryeministri Ramush Haradinaj ka vizituar Ministrinë e Mbrojtjes.
Ai ka thënë se kjo ngjarje është një epokë e re për vendin.
“Miratimi i ligjeve dhe mandati mbrojtës ka nxjerrë detyra te reja shtesë për të gjithë mekanizmat tanë. Plani i paraparë për ndërtimin e kapaciteteve na obligon neve që tash pas një viti mund të premtojmë që jemi duke shkuar me hapa të sigurt. Ne jemi në dinamikën e duhur dhe për këtë falënderoj ministrin Berisha, oficerët komandues të ushtrisë sonë dhe gjeneral Ramën”, ka thënë Haradinaj.
“Ne dëshirojmë të punojmë, të jemi të zotë të mbrohemi dhe të mos vije puna kurrë deri te lufta. Duam të rreshtohemi me ushtritë e botës dhe të aftësohemi që të jemi krah NATO-s”, u shpreh ai.
Për shërbim të shkëlqyeshëm ndaj atdheut gjenerallejtënant Rrahman Ramës, Haradinaj i dhuroi medaljen e kryeheroit Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
/Epoka e re/