Haradinaj: FSK-ja së shpejti ushtri e Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të organizuar në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, në përkujtim të 20-vjetorit të luftës dhe rënies heroike të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes Jashari.
Në këtë ceremoni, që u mbajt në kuadër të manifestimit gjithpëpopullor “Epopeja e UÇK-së”, nën përkujdesjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, morën pjesë përfaqësues të institucioneve, ambasadorë të akredituar në Kosovë, përfaqësues të Familjes Jashari, familjarë të dëshmorëve dhe të rënëve për liri, si dhe personalitete tjera dhe qytetarë të shumtë.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, ka theksuar se Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila me shumë mund e sakrifica po krijon një imazh ri të Kosovës, me mbështetjen e aleatëve tanë strategjik, së shpejti do të merr besimin kushtetues si Ushtri e Kosovës dhe si anëtare e NATO-s.
“Ju, që po krijoni një imazh të ri të Kosovës me shumë mund e shumë sakrifica me mbështetjen e aleatëve tanë strategjik, së shpejti do të merrni edhe besimin kushtetues si Ushtri e Kosovës dhe si anëtare e NATO-s. Ushtri që në zemër dhe në shpirt mban flakën e lirisë të ndezur nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e që është e gatshme sot të njohë dhe të mbrojë diversitetin kulturor e etnik të vendit tonë, lirinë e të gjithë atyre që jetojnë në Kosovë, shqiptarëve dhe të gjitha komuniteteve”, ka thënë Haradinaj.