Haradinaj: FSK-ja shembulli më i mirë i ecjes së përbashkët të Kosovës me ShBA-në
Kryeministri Ramush Haradinaj mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit, me rastin e blerjes së automjeteve multi funksionale ushtarake të lëvizshmërisë së lartë nga Qeveria e Kosovës (HMMWV) për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Kryeministri Haradinaj në fjalën e tij para të pranishmëve tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është një trupë profesionale e gjithëpërfshirëse dhe është shembulli më i mirë i ecjes së përbashkët të Kosovës me ShBA dhe NATO-n.
Duke theksuar rëndësinë e kësaj dite, kryeministri Haradinaj tha se sot, jemi dëshmitarë të një ngjarjeje të madhe për popullin e Kosovës dhe se FSK-ja po modernizohet me teknikë ushtarake multifunksionale “Hamvi” dhe angazhimi për ngritjen e kapaciteteve teknike të FSK-së dita ditës tregon se kjo forcë po ngritët sipas standardeve të NATO-s.
Kryeministri Haradinaj ka falënderuar partnerët strategjikë të Kosovës, për ndihmën e dhënë popullit të Kosovës në momentet më të vështira dhe që vazhdojnë të japin edhe tani në ndërtimin e paqes dhe të sigurisë në Kosovë.
“ShBA-ja, NATO, KFOR-i dhe Bondsteelli janë sinonime të qetësisë e sigurisë në Kosovë dhe nuk është habi që populli i Kosovës është ndër popujt më proamerikanë dhe i qëndron besnik miqësisë së përhershme me ShBA-në”, tha kryeministri Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj ka theksuar orientimin properëndimor dhe strategjik të Kosovës, krah shteteve demokratike.
“Kosova është rreshtuar me ushtritë e lirisë dhe të paqes. Tranzicioni i FSK-së do të bëhet në koordinim të plotë dhe me mbështetjen e aleatëve tanë strategjikë. Kosova nga një vend që absorbon siguri po kthehet në një vend që prodhon dhe ofron siguri dhe është i gatshëm të marrë pjesë në misione paqeruajtëse, kudo që aleatët tanë e shohin të nevojshme”, ka shtuar Haradinaj.
Duke shtuar se Forca e Sigurisë së Kosovës është forca e të gjithëve që jetojnë në Kosovë, e shumicës shqiptare, e komuniteteve, e serbëve, e turqve, ashkalinjve, romëve, egjiptasve, boshnjakëve.
“Si e tillë kjo forcë e ka besimin e të gjithë neve në Kosovë, dhe si kryeministër i gëzohem faktit se sot Forca e Sigurisë së Kosovës, po pajiset më këtë teknologji të avancuar, e të dëshmuar”, ka shtuar kryeministri Haradinaj në mbyllje të fjalës së tij.
/Epoka e re/