Haradinaj: FSK-ja s’mund të shndërrohet në ushtri pa votat e Listës Serbe
11 qershor 2018
| 15:35
Refuzimi i Listës Serbe e ka bërë të pamundur shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura përmes ndryshimeve kushtetuese.
Sipas kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, për momentin, kjo gjë është e pamundur, sepse për ndryshimet kushtetuese duhen dy të tretat e votave edhe të minoriteteve.
“Baza kushtetuese, mandatimi përmes bazës kushtetuese si opsion është gati se i pamundshëm, sepse kërkon 2/3 e votave, do të thotë edhe të serbëve. Duke qenë kështu, është vështirë të kalkulojmë se tani e kemi këtë votë. Në një moment të caktuar do të jemi të detyruar ta mandatojmë ushtrinë e Kosovës me ligj”, ka thënë Haradinaj në një konference për media pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Ministror për Integrim Evropian.