Haradinaj: Gara për Prishtinën s’ka parti, por vizion, guxim dhe vendimmarrje
10 tetor 2021
| 17:09
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, vlerëson se gara për kryeqytetin s’ka parti por ka vizion, guxim e vendimmarrje.
“Për këta muaj të angazhimit tim për Prishtinën, kam takuar me qindra votues të VV-së. Shumë prej tyre ju kanë bashkëngjitur edhe vizionit tim, madje një pjesë edhe garues për konceptin ‘E Para Prishtina’”, ka shkruar Haradinaj në një postim në “Facebook”.
Tutje ai u shpreh se bashkë me qytetarët e kanë kuptuar se ndryshimi nuk vjen nga ata që ndryshojnë çdo ditë.
“Këtë vullnet tuajin do ta përkthej në punë e gjithëpërfshirje. Ndryshimi i vetëm për të mirë do të jetë vetëm Prishtina. Unë do të mbetem i njëjti. Ju falënderoj përzemërsisht!”, ka thënë Haradinaj.