Haradinaj: Gjaku i dëshmorëve dhe aleatët ndërkombëtarë sollën çlirimin e Kosovës

09 qershor 2021 | 11:24

Ish-komandanti i UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar marrëveshjen e Kumanovës, e cila i kishte dhënë fund luftës në Kosovës.

Me këtë rast, Haradinaj ka thënë se lufta çlirimtare e Kosovës, me kauzën e saj të drejtë dhe pastërtinë, kishte arritur të bashkojë në ndihmë të saj, të gjitha shtetet demokratike, të prira nga aleanca ushtarake NATO.

“Pas mbi tetë dekadave okupim, mbi pesëmbëdhjetë muajve luftë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Marrëveshja e Kumanovës e nënshkruar 22 vjet më parë, shënon fillimin e tërheqjes së ushtrisë, policisë e paramilitarëve serb, që kishin terrorizuar dhe ushtruar gjenocid mbi popullatën e paarmatosur shqiptare në Kosovë.  Lufta çlirimtare e Kosovës, me kauzën e saj të drejtë dhe pastërtinë, kishte arritur të bashkojë në ndihmë të saj, të gjitha shtetet demokratike, të prira nga aleanca ushtarake NATO, e cila për tre muaj rresht bombardoi Jugosllavinë, shtetin e fundit fashist në Evropë”.

“Kosova është projekt i përpjekjeve historike që kulmuan me luftën e UÇK-së, ndërsa ishte gjaku i dëshmorëve dhe aleatët ndërkombëtar në krye me ShBA-të që sollën çlirimin dhe pavarësimin e vendit tonë. Sot, ajo promovon stabilitetin dhe është faktor sigurie në rajon, me aspirata që të bëhet pjesë e familjes së NATO-s”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të takimit të pestë virtual të Nën-Komisionit për…