Haradinaj: Gjermania është partnere e fuqishme e Kosovës
“Gjermania ka qenë dhe vazhdon të mbetet vend mike dhe mbështetëse e fuqishme e Kosovës në të gjitha proceset, e rëndësishme të vendit dhe në rrugën e integrimit dhe për këtë u jemi mirënjohës e falënderues. Është me rëndësi që kjo përkrahje të vazhdojë edhe më tutje në zhvillimin ekonomik të vendit dhe bashkëpunimi politik dhe ekonomik të fuqizohet edhe më tej”, ka deklaruar kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj gjatë takimit me delegacionin nga Bundestagu Gjerman pjesë të Nënkomitetit për Parandalimin e Krizave Civile, Menaxhimin e Konfliktit dhe Veprimeve të Integruara, të kryesuar nga deputeti, Ottmar von Holtz.
Haradinaj i ka njoftuar delegacionin gjerman për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, duke i vlerësuar si shembull i mirë i zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike, duke thënë se kjo është dëshmi e stabilitetit institucional dhe forcimit të sundimit të rendit dhe ligjit në vendin tonë, si parakusht për integrim në familjen evropiane.
Ai ka falënderuar delegacionin gjerman për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë dhënë Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vendit, veçanërisht mbështetjen e shtetit gjerman për procesin e liberalizimit të vizave.
Haradinaj ka theksuar se procesi i Berlinit i iniciuar nga shteti gjerman mbetet instrumenti më i rëndësishëm i integrimit të Ballkanit Perëndimor në Evropë dhe si vend Kosova ka qenë tejet konstruktive karshi detyrimeve të saj.
“Në këtë frymë mbështetja e Gjermanisë në procesin e liberalizimit të vizave është e domosdoshme si një e drejtë e qytetarëve tanë dhe një konfirmim i orientimit tonë euroatlantik”, është shprehur ai.
Po në këtë takim është biseduar edhe për çështjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilin kryeministri Haradinaj ka theksuar se arritja e një marrëveshje ligjërisht obliguese dhe me njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe përfundimi i këtij procesi do të jetë më rëndësi për stabilitetin rajonal.
Ndërkohë delegacioni gjerman ka theksuar mbështetjen për Kosovën edhe në të ardhmen në rrugën e saj euroatlantike dhe zhvillimore.
/Epoka e re/