Haradinaj: Gjermania, kontribuuese në zhvillimin e gjithanshëm të Kosovës

22 gusht 2018 | 11:04

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim, Komisionerin Parlamentar për Forcat e Armatosura të Republikës Federale të Gjermanisë, Hans-Peter Bartels.

Haradinaj e ka njoftuar Komisionerin Bartels për progresin e Kosovës dhe për prioritetet e Qeverisë, për zhvillimin ekonomik si dhe forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, duke e falënderuar shtetin gjerman për kontributin e gjithanshëm në shtetndërtimin e Kosovës.

Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj e ka vlerësuar rolin historik të forcave ushtarake gjermane që kanë shërbyer për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore jashtë Gjermanisë, në kuadër të misionit paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë, njëkohësisht, shprehu mirënjohje për angazhimin e pazëvendësueshëm të ushtarakëve gjermanë në Kosovë, Gjeneralin Hoffman, dhe pasardhësin e tij Uwe, në kuadër të misionit këshillëdhënës (NALT) për FSK-në.

“Gjermania është një prej donatorëve kryesorë në Kosovë që nga viti 1999, dhe vazhdon të jetë përkrahëse në procese të rëndësishme për vendin dhe për këtë u jemi mirënjohës. Kjo u dëshmua edhe me shndërrimin e kampit ushtarak në park inovativ dhe trajnues në Prizren, mundësi e mirë për rritjen e zhvillimit ekonomik”, ka deklaruar Haradinaj, duke kërkuar mbështetjen e mëtutjeshme të shtetit gjerman për proceset integruese dhe euroatlantike të Kosovës.

Në këtë takim u bisedua po ashtu edhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, për rolin e Gjermanisë në procesin e dialogut, liberalizimin e vizave, anëtarësimin e Kosovës në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, me theks të veçantë në INTERPOL.

Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar Komisionerin Bartels për procesin e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, si një forcë profesionale, multietnike dhe e përgatitur sipas standardeve, i bindur se Gjermania do të luaj rol të rëndësishëm në këtë proces.

Kurse, Komisioneri Parlamentar për Forcat e Armatosura të Republikës Federale të Gjermanisë, Hans-Peter Bartels, duke vlerësuar progresin e Kosovës ka deklaruar se Gjermania do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në pritje të përkthimit në gjuhën angleze dhe shpërndarjes në…