Haradinaj: Gjermania, partnere shumë e rëndësishëm e Kosovës
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur të martën në takim, Stephan Mayer, sekretar parlamentar i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve si dhe përkrahjen e shtetit gjerman për Kosovën.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj e ka njoftuar Mayerin për progresin në Kosovë dhe prioritetet e Qeverisë në zhvillimin ekonomik, proceset eurointegruese dhe fuqizimin e tërësishëm të shtetit.
Haradinaj ka përmendur gjithashtu faktin që Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e vëna nga Bashkimi Evropian, në procesin e liberalizimit të vizave.
Më tutje, kryeministri Haradinaj e ka falënderuar z. Mayer për përkrahjen e madhe të Gjermanisë për shtetin e Kosovës dhe qytetarëve të saj, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë për fuqizimin e partneritetit strategjik dhe të bashkëpunimit në shumë drejtime.
“Gjermania është partner shumë i rëndësishëm i Kosovës duke qenë mbështetëse e zhvillimit ekonomik dhe forcimit të shtetësisë së Kosovës”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Po ashtu në këtë takim u bisedua edhe për çështjet tjera të rëndësishme për Kosovën, dialogun Kosovë – Serbi, për proceset politike brenda Kosovës si dhe për perspektivën eurointegruese.
/Epoka e re/