Haradinaj: Gjermania rikonfirmon mbështetjen e parezervë për Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar deklaratat e ministrit të Jashtëm gjerman Heiko Maas.
Gjatë ditës së djeshme, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas ka thënë se Qeveria gjermane e konsideron të gabueshme nëse BE-ja dhe Gjermania heqin dorë nga mbështetja për Kosovën.
Maas në një intervistë për “Stuttgarder Nachrichten”, po ashtu ka folur edhe për reformat që kanë ndodhur në Kosovë.
“Jam i lumtur që të ndajë me ju deklaratën mbështetëse që vjen nga Gjermania mike, për reformat e ndërmarra shtetërore. Në intervistën e dhënë për gazetën gjermane ‘Stuttgarder Nachrichten’, kushtuar Kosovës, ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas e ka vlerësuar lartë angazhimin e Qeverisë së vendit tonë duke thënë se ‘Reformat të cilat janë kryer atje janë mbresëlënëse dhe kjo duhet të pranohet’ “, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i tij:
Të dashur qytetarë,
Jam i lumtur që të ndajë me ju deklaratën mbështetëse që vjen nga Gjermania mike, për reformat e ndërmarra shtetërore. Në intervistën e dhënë për gazetën gjermane “Stuttgarder Nachrichten”, kushtuar Kosovës, ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas e ka vlerësuar lartë angazhimin e Qeverisë së vendit tonë duke thënë se “Reformat të cilat janë kryer atje janë mbresëlënëse dhe kjo duhet të pranohet.”
Ky është edhe një rikonfirmim se mbështetja e parezervë e Gjermanisë për Kosovën është rezultat i partneritetit të ngushtë e të sinqertë me shtetin gjerman, si dhe është vendimtar për procesin e liberalizimit të vizave dhe rrugën europiane të Kosovës.