Haradinaj: Gjuriqin e kemi paralajmëruar dhe e ka ditur se do të arrestohej
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se ishte informuar të dielën në mbrëmje për ndalesën që i është bërë Marko Gjuriqit që të hynte në Kosovë dhe shtoi se nuk ishte lënë jashtë çështjes.
Sipas tij çdo gjë ishte sipas protokollit.
“Unë jam informuar të dielën në mbrëmje. Motivi pse është ndaluar mund të diskutohet, për bindjen time nuk kam asgjë kundër që Gjuriq të vijë në Kosovë mirëpo kuptohet brenda procedurave. Qëndrimi im ka qenë që të zbatohet protokolli dhe nëse ministria e Drejtësisë nuk e ka dhënë lejen atëherë ministria e Brendshme le të veprojë. Kanë vendos kushtetuta dhe ligjet”, ka thënë ai.
“Kemi pas shpresë që të mos vijë dhe të mos ndodhë ajo që ndodhi. Mirëpo i kemi paralajmëruar dhe ata e kanë ditur. Me të thanë të drejtën unë do isha ndjerë i thyer nëse policia e Kosovës do të dështonte”, shtoi tutje Haradinaj.
Ndonëse aksioni i policisë ndodhi dhe Gjuriq u ndalua e u deportua nga Kosova, i pari i Qeverisë tha se për bindjet e tij edhe mund të lejohej të futej atë ditë në Kosovë.
Haradinaj bëri të ditur se kishte bërë çdo mesazh që ai mos të vinte atë ditë dhe mos të krijohej ajo situatë.