Haradinaj: Goranët meritojnë ta kenë komunën e tyre
Republika e Kosovës ka Kushtetutën e saj më të avancuar dhe më moderne, e cila qartë përcakton të drejtat e secilit komunitet që jeton në Kosovë, edhe të komunitetit goran. Si kryeministër i vendit, përtej asaj që është shkruar, jam angazhuar që Qeveria që drejtoj të jetë e përfaqësuar nga secili komunitet, që ata të jenë të ngarkuar me detyra, për të realizuar kërkesat dhe përmirësuar jetën e secilit qytetarë.
Kështu ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj në shënimin e Ditës së Goranëve në Brod të Dragashit.
Kryeministri Haradinaj ka thënë se simbolika e kësaj feste është e ngjashme me plotë rajone të tjera të vendit, pra është e njëjta traditë.
“Kemi biseduar për mënyrën e jetesës për temat se çka mund të bëjë qeveria nacionale. Kjo është iniciativë e deputetit të nderuar Adem Hoxha, që është deputet goran në parlamentin e Kosovës dhe kam ardhur këtu me propozimin e deputetit që të informohem për gjendjen dhe proceset këtu”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
I pari i Qeverise para banorëve të Brodit e Dragashit ka pohuar se krijimi i një komune të re, asaj të Gorës nuk është humbje për shqiptarët kudo që janë as në Opojë, as në Prizren apo diku. “Përkundrazi u mundëson këtyre njerëzve të jetojnë dhe t’i kenë mundësitë për jetë dhe jam përkrahës i një komune në Gorë që jeta të zhvillohet në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka deklaruar Haradinaj.
Ndërkaq deputeti nga radhët e komunitetit goran, Adem Hoxha, e ka falënderuar kryeministrin për përkrahjen e vazhdueshme, derisa ka shpjeguar para të pranishmëve mënyrën e festimit të kësaj dite.
Dita e Goranëve është festë që simbolizonin bashkimin, harmoninë dhe mirëqenien. Në këtë manifestim u tha se kjo festë është edhe dëshmi e përpjekjeve të përbashkëta, për ta ndërtuar shtetin e Kosovës.
Gjatë vizitës në Brod ta Dragashit kryeministri Haradinaj ka bashkëbiseduar me qytetarë të shumtë të kësaj ane.