Haradinaj, Hadergjonajt: Faleminderit që u riktheve në atdhe
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka pritur në një takim futbollistin më të ri të Kombëtares së Kosovës, Florent Hadërgjonaj, të cilin e ka përgëzuar për vendimin që t’i bashkohet ekipit Verdhekaltër
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka pritur sot në një takim futbollistin më të ri të Kombëtares së Kosovës, Florent Hadërgjonaj.
I pari i Qeverisë e ka përgëzuar mbrojtësin e djathtë për vendimin e marrë për t’iu bashkuar “Dardanëve”, ndërkohë që i ka uruar atij suksese.
“I rritur në Zvicër dhe lojtar i Huddersfield Town në Angli, Florenti zgjodhi kthimin tek rrënjët e veta, në atdhe, për t’i vazhduar sukseset, tash në Kosovën tonë! Pata kënaqësinë që sot ta prisja në takim Florent Hadërgjonaj, futbollistin me përvojë ndërkombëtare, i cili na gëzoi me vendimin për t’iu bashkuar ekipit tonë përfaqësues në futboll. Faleminderit Florent! RH”, ka shkruar Haradinaj në rrjetet sociale.
Ndërkohë, i gëzuar që e takoi Haradinajn ishte edhe futbollisti nga Deçani. “Kënaqësi që u takova me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. E falënderojë për mirëpritjen dhe urimin që më bëri për ardhjen te Përfaqësuesja e Kosovës. Të gjithë së bashku duam të bëjmë më të mirën për vendin tonë. FH”, ka shkruar mbrojtësi i Huddesfieldit në Facebook.