Haradinaj: Haxhiu është gabim me pozionin e saj në rastin e Faton Hajrizit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Ministrja Albulena Haxhiu është gabim me pozicionin që ka marrë në rastin e Faton Hajrizit, shkruan Reporteri.net.
Sipas tij, Haxhiu ka pasur mënyra të tjera për ta mbrojtur vendin, që të mos fajësohet për veprën e Hajrizit.
“Mendoj që zonja Haxhiu është gabim me pozionin e marrë në rastin e Faton Hajrizit, për shkak se i bie që të gjithë ata që janë UÇK ose të lidhur me UÇK’në, pra nuk shkon materia, përmbajtja nuk është ashtu se Serbia ka ndikim që Faton Hajrizi me dalë në Serbi. Mendoj që këtu ajo e ka gabu materien. Nëse është dashtë me u mbrojtë Kosova, mos me u fajësu për veprën e Faton Hajrizit, atëherë ajo ka mujt me thanë për fat të keq ne kemi dështu me i kry detyrat tona në territorin tonë dhe shihet çfarë sjellje ka Serbia dhe çfarë ndodhë në Serbi ne e dijmë që ajo i urren”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka thënë se nuk pret dorëheqjen e Haxhiut, por së paku një pranim faji.
“Kjo çështja e dorëheqjes më nuk është kriter te kjo qeveri pasi s’kanë dhënë dorëheqje për kurgjë deri sot. Nuk ka ndodhë që i ka bindë me dhanë dorëheqje, por të paktën një pranim faji, një kërkim falje ose një gjest i logjikshëm… Serbia do ta përdorë këtë. Serbia ka shpëtu e pa sanksionume prej Banjskës”, ka thënë Haradinaj në RTV Dukagjini.
Ditën kur autoritetet serbe njoftuan për vrasjen e Hajrizit, Haxhiu tha se arratisjet nga burgjet e Kosovës bë dusa raste “janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë”.
“E rëndësishme të potencohet fakti që arratisja e disa personave që po kërkohen nga institucionet përgjegjëse në Republikën e Kosovës po bëhet vetëm në një drejtim: atë të territorit të Serbisë. Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë. Ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës. Mburoja nuk jepet vetëm ndaj mos-ekstradimit por ndaj çfarëdo bashkëpunimi informativ me organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës. Një mbështetje e tillë është padyshim e qëllimshme, e organizuar dhe e lidhur me qëllimin për të dëmtuar rendin publik, kushtetues e ligjor të Republikës së Kosovës. Ofrimi i territorit të Serbisë si mburojë ndaj ndjekjes së organeve penale të Republikës tonë i shërben krimit dhe kontribuon hapur cënimit të stabilitetit institucional e ligjor të Republikës së Kosovës. Shpeshtimi sistematik i këtyre rasteve në këtë periudhë nuk ka asnjë kuptim tjetër përpos qëllimit politik agresiv të fqinjit tonë verior”, ka shkruar Haxhiu.
Ndryshe, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se autoritetet serbe kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi, të cilat bashkë me shenjat e gishtërinjve të Hajrizit janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë.
Pas krahasimit, Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor – ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin Hajrizit.
“Lidhur me rastin e pretenduar nga ana e Serbisë të vrasjes së qytetarit të Kosovës në Serbi, informojmë opinionin publik që sapo jemi njoftuar nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor – ILECU e Policisë së Kosovës se autoritetet serbe, më datë 22/07/2024, kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi dhe të njejtat shenja së bashku me shenjat e gishtërinjve të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ku pas krahasimit nga AKF, ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë, Faton Hajrizi”, thuhet në njoftim.
Më tej MPJD lut opinionin që të gjitha këto lajme nga Serbia të merren me rezervë deri në konfirmimin e plotë të tyre.