Haradinaj: Heronjtë e Llapit kanë hise të madhe në lirinë e Kosovës
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka vizituar të mërkurën Podujevën, ku ka bërë homazhe pranë lapidarëve të të rënëve për lirinë e Kosovës dhe ka zhvilluar një bashkëbisedim me qytetarët dhe veteranët e luftës së UÇK-së.
Me këtë rast, Haradinaj ka vlerësuar lart kontributin e heronjve dhe dëshmorëve llapjanë në luftën për liri.
Ai ka thënë se vargu i tyre është i gjatë dhe ka pasur një rol të rëndësishëm në çlirimin e vendit.
“Heronjtë e Llapit kanë hise të madhe në lirinë e Kosovës. I gjatë është vargoji i heronjve e dëshmorëve llapjanë, që i kanë dhënë vlerë kësaj nahije e krejt Kosovës. Që nga Adem Demaçi, disidenti më i madh i historisë së re të Kosovës, Zahir Pajaziti, Ilir Konushevci, Edmond Hoxha, Ali Ajeti e shumë të tjerë, që tashmë jane ngritur në altarin e lavdisë shqiptare, e llapjanët i kanë derdhur në bronz. Nderimi e përkulja para lapidarëve të tyre, të le pa frymë e të jep forcë që Kosovën ta bëjmë ashtu siç ata e kishin ëndërruar, të lirë, të pavarur e të panënshtrueshme. Kujtimin për këto kohë lavdie e filluam në një bashkëbisedim me luftëtarë e familjarë të dëshmorëve”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.