Haradinaj: Heronjtë tanë, askush nuk ka mundur t’i ndalë deri në vijën e parë të luftës
Organizuar nën përkujdesjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj sot u mbajt akademia përkujtimore – Dita e dëshmorëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”- Dita e rënies së heroit Agim Ramadani, në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes 2018”.
“Sinonimi, unifikimi i tyre, gjendet në emrat që janë këtu dhe që nuk janë të vetmit”, kështu tha kryeministri Haradinaj, në hyrje të fjalës së tij duke kujtuar heronjtë, Agim Ramadanin, Sali Çekaj, Xhemajl Fetahaj e shumë të tjerë dhe duke shtuar se krenaria jonë e nderimit për të rënët për liri gjendet kudo, në shumë ngjarje dhe shumë beteja, por na bënë nder se sa unike dhe se sa e veçantë është në Koshare.
“Janë luftëtarët më të zotë shqiptarë, të të gjitha trojeve shqiptare, por edhe të huaj që janë dëshmorë. Ka njerëz që kanë pasur shërbim të gjatë jetësor në shërbim të atdheut”, është shprehur kryeministri Haradibnaj, duke theksuar faktin se këta njerëz kanë kaluar edhe nëpër burgje, persekutimet dhe përndjekje.
Më tutje, kryeministri Haradinaj, duke përmendur faktin se këta njerëz i kanë mbijetuar përçarjeve e pengesave, tha se askush nuk ka mundur t’i ndalë deri në vijën e parë të luftës, deri në flijimin e tyre për atdhe.
“Sot ne mund t’i kujtojmë me pietet edhe mendimtarët e zotë, por veçanërisht të mburremi me figurat kaq unike të heronjve tanë, të gjithë dëshmorëve të Brigadës 138 Agim Ramadani, dhe t’i falënderojmë luftëtarët e gjallë”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj.
Me nga një fjalë para të pranishmëve, folën edhe presidenti Hashim Thaçi, deputeti Anton Çuni, në emër të Brigadës 138 Agim Ramadani, ndërsa anë emër të familjarëve, të pranishmit i ka falënderuar Lorina Ramadani, vajza e heroit Agim Ramadani.
/Epoka e re/