Haradinaj: Hungaria, mbështetëse e fuqishme e Kosovës
Hungaria është një prej vendeve të para që ka njohur Republikën e Kosovës, dhe bashkëpunimi ndërmjet vendeve tona është tradicional dhe historik.
Kështu ka deklaruar kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj në takim me ministrin për Punë të Jashtme dhe Tregti të Hungarisë, Peter Szijarto.
Haradinaj e ka njoftuar ministrin Szijarto për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, zhvillimin ekonomik, agjendën e reformave evropiane, forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, tranzicionin e FSK-së në ushtri, dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e cila do të përfundojë me njohje reciproke dhe ligjërisht obliguese për të dy vendet.
“Kosova dhe populli i saj është mirënjohëse për përkrahjen dhe kontributin e Hungarisë në shtetndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike”, ka thënë Haradinaj, duke kërkuar vazhdimin e përkrahjes në fusha konkrete të rëndësishme për vendin.
Më tutje, kryeministri Haradinaj ka kërkuar nga shteti hungarez mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Interpol, çështjen e liberalizimit të vizave dhe çështje tjera me rëndësi për rrugën euroatlantike të Kosovës.
Ndërsa, ministri për Punë të Jashtme dhe Tregti i Hungarisë, Peter Szijarto, ka falënderuar kryeministrin Haradinaj për pritjen, duke thënë se Hungaria do të vazhdojë të jetë mbështetëse e Kosovës në agjendën e saj eurointegruese dhe në çështje tjera të interesit të përbashkët.
Në këtë takim, po ashtu është biseduar edhe për fuqizimin e partneriteti ekonomik, me theks në fushën e investimeve dhe bashkëpunimin në fushën e arsimit.
Kryeministri Haradinaj e ka nderuar ministrin Szijarto me medaljen e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri dhe ministëri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ambasadorja e Kosovës në Hungari, Luljeta Vuniqi dhe ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz.
/Epoka e re/