Haradinaj: Hungaria, partnere e rëndësishme e Kosovës në rrugën e integrimeve evropiane
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur të mërkurën në takim ambasadorin e Republikës së Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz.
Kryeministri Haradinaj, ka falënderuar Qeverinë e Hungarisë për mbështetjen e vazhdueshme që po i jep Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit, veçmas tani në rrugën e integrimit evropian.
Më tutje, Haradinaj e ka informuar për angazhimin e Qeverisë dhe të institucioneve të Kosovës në fuqizimin e sundimit të rendit dhe të ligjit në Kosovë, avancimin në procesin e zbatimit të Agjendës së Reformave Evropiane (ERA), zhvillimin ekonomik dhe për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe rajon.
Ndërsa ambasadori i Hungarisë, Laszlo Markusz, ka vlerësuar përkushtimin e kryeministrit Haradinaj dhe të Qeverisë së Kosovës në forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit dhe avancimin e Agjendës së Reformave Evropiane (ERA), duke premtuar mbështetjen e Hungarisë në këto procese të rëndësishme për Kosovën.
Në takim është biseduar edhe për vazhdimin e bashkëpunimit mes dyja vendeve dhe inicimin e projekteve të tjera bilaterale.