Haradinaj i bindur se koalicioni i tij është shndërruar në forcë serioze politike
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Aleanca e di dhe e ka të qartë rrugën drejt zhvillimit e mirëqenies, drejt integrimeve euro-atlantike, krejt kjo në partneritet të ngushtë me aleatët perëndimorë në krye me SHBA-të.
Haradinaj ka thënë se koalicioni parazgjedhor i prirë nga AAK, është shndërruar në forcë serioze politike.
“Koalicioni parazgjedhor i prirë nga Aleanca është shndërruar në forcë serioze politike, me përkrahje e besim të gjerë si brenda Kosovës e diasporë por edhe te aleatët tanë strategjikë”, ka thënë Haradinaj.
Në takim me degën e AAK-së në Prizren, Haradinaj i ka uruar mirë se ardhje në parti Erkan Shekagjiut.
“Në kuadër të diskutimeve për veprimet konkrete të mobilizimit e të forcimit të koalicionit parazgjedhor, sot zhvilluam takim me degën e Aleancës në Prizren. Bashkë me kryetarin e Degës, Besnik Krasniqi dhe kolegë tjerë i uruam Erkan Shekagjiut mirëseardhje në Aleancë”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se Aleanca e din dhe e ka të qartë rrugën për t’i dhënë kahen vendit drejt zhvillimit e mirëqenies, drejt integrimeve euro-atlantike.
“Bashkë diskutuam për zhvillimet në vend dhe për organizimin e brendshëm në parti. Theksova se derisa po hyjmë në një etapë të zhvillimeve të reja politike, vet fakti që qeverisja e tanishme këtë vit e mbyll mandatin 4-vjeçar pa ndonjë rezultat pozitiv në qeverisje dhe e zhvlerësuar nga aleatët tanë për shkak të mënyrës se si i qasen proceseve jetike për vendin, e shton nevojën për t’i sjellë vendit ndryshimin e nevojshëm”.
“Aleanca e din dhe e ka të qartë rrugën për t’i dhënë kahen vendit drejt zhvillimit e mirëqenies, drejt integrimeve euro-atlantike, krejt kjo në partneritet të ngushtë me aleatët perëndimorë në krye me SHBA-në”, ka thënë Haradinaj.