Haradinaj i dërgon letër Mogherinit për taksën ndaj produkteve të Serbisë
22 nëntor 2018
| 14:20
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se e ka njoftuar përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, dhe të gjithë ambasadorët në Kosovë lidhur me vendosjen e masës prej 100 për qind për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
“Sapo u kam dërguar letër të gjithë ambasadorëve edhe të BE-së. Zonjës Apostolova i kam shpjeguar faktet pse kemi ardhur deri te ky vendim në çka e kemi bazuar. Është një vendim i Kosovës sovrane në mbrojtje të interesit të vet, por është i argumentuar pse e bëjmë këtë, kryesisht është mosrespektimi i marrëdhënieve tregtare Kosovë-Serbi, nga Serbia duke vu bllokadë tarifore për produktet tona, shtuar këtu edhe agresivitetin ndaj Kosovës”, ka thënë ai.