Haradinaj i falënderon qytetarët që bënë homazhe në Gllogjan në 27-vjetorin e rënies së vëllait të tij Luanit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka falënderuar të gjithë qytetarët që bënë homazhe në Gllogjan, duke nderuar heroin e kombit Luan Haradinajn në 27 vjetorin e rënies.
“Në 27 vjetorin e rënies së Luanit dhe përvjetorin e bacit Smajl, në homazhe në Gllogjan, dhe në Akademinë Përkujtimore në Pejë, na nderuan shumë miq e bashkëluftëtarë nga të gjitha pjesët e Atdheut”, tha Haradinaj.
Veçanërisht, ai u shpreh i nderuar me prezencën e mikut të dëshmuar të Kosovës, komandantit të Gardës Kombëtare të Iowa-s, major General Timothy E. Orr.
“Por, edhe me prezencën e liderit të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, Ali Ahmeti; bacit Halit Konushevci; familjes Fazliu; gjeneral Kudusi Lama; bashkëluftëtarëve të Luanit; Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së; dhe shumë kolegëve e bashkëpunëtorëve. Le të jetë i përhershëm kujtimi për Heronjtë e Kombit”, theksoi ai.