Haradinaj i jep mbështetje delegacionit të Kosovës për takimin e Uashingtonit, por ka tri kushte
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka mbajtur të hënën një konferencë për medie, ku ka folur për qëndrimin e kësaj partie në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.
Haradinaj ka thënë se AAK-ja e mbështet delegacionin e Kosovës për takimin e Uashingtonit, i cili do të mbahet më 27 qershor.
Por, Haradinaj ka nënvizuar se dialogu duhet t’i respektojë të paktën tri parime.
“Sot ju kam ftuar të flasë për çështjen e dialogut. AAK-ja vlerëson se Kosova ka definim të qartë për këtë proces. Por duhet t’i përmbahemi parimit të integritetit territorial të Kosovës, parimit të karakterit unitar të pushtetit në Kosovë si dhe parimit për respektimin e kushtetutshmërisë. Këto janë tri parime me të cilat ne si Aleancë përkrahim delegacionin e Kosovës në dialog”, është shprehur Haradinaj, duke shtuar se në këtë format të dialogut e përkrah edhe kryeministrin Avdullah Hoti.
Më tutje, Haradinaj ka thënë se gatishmëria e qeverisë për themelimin e këshillit të ekspertëve për dialogun si dhe udhëheqja e dialogut nga ShBA janë garanci shtesë në proces.
“Ne mbajmë shpresë që të zhbllokohet nyja e këtij procesi dydekadësh. Aleanca mbështetë delegacionin e Kosovës për takimin në Uashington”, ka thënë Haradinaj.