Haradinaj i kërkon Belgjikës mbështetje për Kosovën në BE dhe NATO
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj është takuar të mërkurën me ambasadorin e Belgjikës, Gregoire Cuvelier.
Ai ka thënë se Belgjika ka qenë gjithmonë përkrah Kosovës.
“Belgjika si shtet mik, gjithmonë i qëndroi përkrah Kosovës dhe ne jemi të përkushtuar që ta fuqizojmë këtë miqësi përmes marrëdhënieve bilaterale në të gjitha fushat”, ka thënë Haradinaj.
Po ashtu, Haradinaj ka kërkuar mbështetje për Kosovën drejt anëtarësimit në BE dhe NATO.
“Në takimin që pata me z. Gregoire Cuvelier, ambasador i Belgjikës në Kosovë, biseduam për zhvillimet politike në vend. Me këtë rast, shpreha falënderimin ndaj ambasadorit Cuvelier për përkrahjen e vazhdueshme të tij dhe të shtetit belg, si dhe kërkova që kjo mbështetje të vazhdohet edhe më tutje në përkushtimin tonë për të qenë pjesë e familjes së madhe Evropiane dhe anëtare e NATO-s”, është shprehur Haradinaj.