Haradinaj kërkon procedimin me urgjencë të katër projektligjeve që lidhen me vizat
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Komisioni për Legjislacion që me urgjencë të procedojë katër projektligjet të cilat është duke i kërkuar Bashkimi Evropian (BE), të cilat lidhen me procesin e liberalizimit të vizave.
Kjo kërkesë e kryeministrit ka hasur në kundërshtim të kryetares së këtij komisioni, Albulena Haxhiu.
Haxhiu ka thënë se opozita nuk është shkaktare e mos heqjes së vizave.
Pas takimit me anëtarët e Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës, kryeministri Haradinaj ka thënë se duhet t’i intensifikojë përpjekjet për të unifikuar agjendën për integrim.
“Në mënyrë që të mos e vonojmë vendin në përafrimin me BE-në, Kosova duhet t’i intensifikojë përpjekjet për të unifikuar agjendën për integrim. Në këtë frymë, për t’i koordinuar hapat rreth ndërtimit të konsensusit nacional për Agjendën Evropiane zhvilluam takim pune me Komisionin për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës. Për t’i çuar përpara pakot ligjore prioritare nga fusha e sundimit të ligjit, që lidhen me zbatimin e MSA-së dhe me impakt në liberalizimin e vizave, kërkova që të përshpejtohet puna në te gjitha hallkat e sistemit për përmbylljen e këtyre ligjeve”, ka thënë Haradinaj.
/Epoka e re/