Haradinaj i kundërpërgjigjet Vuçiqit: Askush nuk mund ta nëpërkëmb Kosovën
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj i ka reaguar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pasi ky i fundit kishte vendosur flamurin serb mbi hartën e Kosovës.
Haradinaj gjatë një fjalimi në Gllogjan me rastin e shënimit të “Epopesë së Dukagjinit”, duke iu kundërpërgjigjur Vuçiqit, ka thënë se simboli i vetëm këtu është populli dhe se askush nuk do të mundë të nëpërkëmbë Kosovën.
“Atyre që bëjnë harta të Kosovës me simbole të tyre u themi se i vetmi simbol është populli këtu. Askush mos të tenton me e nëpërkëmbë Kosovën. Nëse nuk na bëhet vendi i merituar në NATO, ne kemi komb, kemi familje dhe do të kthehemi aty ku na takon”, ka thënë Haradinaj.
Duke kujtuar 24 marsin e vitit 1999, Haradinaj ka thënë se ajo ngjarje ishte e pashmangshme, e cila u vërtetua se ishte e drejtë.
“Ne ishim të vetëdijshëm që na pret një fat i tillë. Në këtë ditë të atij viti kanë rënë tre dëshmitë. Ai epilog u vërtetua i tillë dhe i drejt. Ajo që ishte mahnitëse ishte që ndodhi edhe ndërhyrja e NATO-s. E thashë që nuk ka ndryshuar asgjë sot dhe nuk do të ndryshojë as në mot. Jemi të gëzuar që jemi në demokraci..”, është shprehur Haradinaj.