Haradinaj i ofron bashkëpunim ambasadorit të ri amerikan në Kosovë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim njoftues me ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Philip Kosnett, të cilin e ka uruar për detyrën e re.
“Kam nderin sot, pra është një nder i posaçëm të ju prezantoj me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, që sapo ka filluar me punë në Kosovë. Shfrytëzova rastin që ta uroj për punën që e ka marrë dhe për nderin që do ta kemi për të punuar bashkë në të ardhmen, për të mirën e popullit të Kosovës dhe popullin e Amerikës, si dhe për marrëdhëniet bilaterale”, ka thënë Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj, i ka premtuar ambasadorit Kosnett një bashkëpunim të sinqertë dhe një punë të përbashkët për të mirën e Kosovës por edhe te rajonit dhe marrëdhënieve të ndërsjella.
Kryeministri Haradinaj gjatë takimit e ka njoftuar ambasadorin Kosnett për proceset politike dhe në ato ekonomike nëpër të cilat është duke kaluar Republika e Kosovës.
Në të njëjtën kohë, Haradinaj ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e Kosovës në të gjitha fushat.
Ndërsa, ambasadori i ShBA-së, Philip Kosnett, ka thënë se është një privilegj dhe nder kthimi në Kosovë pas 15 vitesh për të shërbyer si ambasador i ShBA-së dhe se është kënaqësi që përsëri ta sheh kryeministrin Haradinaj pas një kohe kaq të gjatë.
“Partneriteti në mes të SHBA-së dhe Kosovës është shumë i fuqishëm, dhe unë nuk njohë ndonjë vend tjetër në botë që ndan një miqësi kaq të afërt se sa Amerika dhe Kosova. Pres me padurim që të punoj nga afër me kryeministrin Haradinaj në shumë çështje të ndryshme, si ekonomia, sundimi i ligjit, siguria, raporti i Kosovës me fqinjët e saj, dhe mendoj se jemi në një moment të historisë ku njerëzit duhet të marrin vendime të cilat do të mbahen në mend edhe në të ardhmen”, ka thënë ambasadori Kosnett, duke e falënderuar kryeministrin Haradinaj, për miqësinë dhe sinqeritetin e tij.
/Epoka e re/