Haradinaj i përgjigjet Krasniqit: Rrugëdalja e vetme është një platformë për qeverisje të re pa Kurtin
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i është përgjigjur me një letër kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, të cilit i ka thënë se Qeveria duhet ta përfundojë mandatin e saj me dorëheqje ose shkarkim.
Haradinaj i ka thënë Krasniqit se Qeveria nuk duhet ta përmbyllë mandatin me “vet-shpërndarje të Kuvendit”.
“Rrugëdalja është një platformë e përbashkët për qeverisje të re, pa Kurtin”, thuhet në fund të letrës.
Haradinaj thotë se kjo është “rrugëdalja e vetme nga kriza në vend”.
“Kjo sepse Kurti dhe qeveria e tij, janë fajtore për gjendjen e krijuar, e në këtë kontekst, Aleanca nuk lëviz nga qëndrimi që kjo Qeveri duhet ta përmbyllë mandatin e saj me dorëheqje, ose me shkarkim, e jo të amnistohet me vet-shpërndarje të Kuvendit”, shkroi Haradinaj në një postim në Facebook, duke publikuar letrën.
Krasniqi të premtën tha se ua kishte dërguar nga një letër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ku kishte ritheksuar qëndrimin e Partisë Demokratike të Kosovës për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme. Ai kërkon që sa më shpejt të gjendet dakordimi për shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja sa më herët që të jetë e mundur.