Haradinaj i reagon sërish Kurtit pas deklaratës së tij nga Brukseli

22 maj 2021 | 16:55

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas pyetjes që ia bëri kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit se “a të ka rekrutuar ndonjë shërbim i Serbisë gjatë kohës sa ke qenë në burg”, ka reaguar sërish për darkën e Brukselit, ku mori pjesë shefi i Qeverisë.

Gjatë vizitës në Dubravë, me rastin e 22 vjetorit të masakrës atje, Haradinaj tha se është e gabueshme të thuhet se i gjithë Ballkani duhet të çlirohet nga kriminelët e luftës.

Kjo pasi që, sipas tij, nëse dikush nga Ballkani duhet liruar prej kriminelëve të luftës, atëherë është vetëm Serbia, ajo që duhet të lirohet.

“Duhet të jemi të guximshëm të themi të vërtetën, të kërkojmë të drejtën tonë, e drejta jonë ka me dal në dritë. Lavdi gjithë dëshmorëve që ranë për liri”, ka thënë Haradinaj.

Kurti pas darkës në Bruksel me liderët e Ballkanit Perëndimor tha se nuk mund të ecin përpara pa i eleminuar nga skena politike kriminelët e luftës, deklaratë kjo për të cilën Kurti mori shumë kritika.

“Në anën tjetër, të gjitha vendet e Ballkanin Perëndimor do të mund të ecin shumë më shpejtë, nëse i përmbahen tri, le të themi, vlerave shumë të rëndësishme. E para është demokratizimi, e dyta është sundimi i ligjit, dhe e treta është ballafaqimi me të kaluarën, pra eliminohen nga skena politike e institucionale, kriminelët e luftës. Edhe më tej në Ballkan Perëndimor kemi edhe kriminel të luftës dhe kriminel të paqe të cilët dominojnë në institucione dhe parti politike, dhe kjo do të marrë fund, dhe në këtë mënyrë do të krijohen kushtet edhe për më shumë shpresë, dhe më shumë besim në të ardhmen. Demokratizimi kundër autokracisë, sundimi i ligjit kundër monopolit dhe oligarkëve dhe ballafaqimi me të kaluarën, meqenëse kemi përjetuar 4 luftëra në Ballkan, përgjegjësit për të cilët, dhe shumë prej fajtorëve, qoftë urdhërdhënës qoftë si ekzekutor vazhdojnë të jenë të pajisur me pushtet politik”, ka sqaruar Kurti

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Paga minimale që parashihet me planin qeverisës të rritet nga…