Haradinaj: I thashë Kurtit mos shih ëndrra, hyn në temë

10 nëntor 2022 | 08:20

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tregoi se nuk ka kursyer fare gjuhën e tij në takimin me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Sipas Haradinaj, në qoftë se Kurti nuk do të kthehet te kërkesa amerikane për shtyrjen e vendimit për targat, pasojat do t’i bartë Kosova së bashku me partinë e tij.

“Unë nuk jam njëri nga ata që ia rrehi krahët kur e shoh që po e mbyt veten e po e mbyt vendin e po e mbyt shpinë. Askujt nuk do t’ia rrehi krahët. Unë jam munduar ta ballafaqoj Kurtin me rreziqet, me gabimet, me pasojat që do t’i ketë. Po, nuk e kursej as gjuhën e asnjë argument tjetër. Mos shko kësaj rruge se je duke e mbytur veten, vendin tënd, subjektin tënd e qeverinë tënde. Shpresoj që të ketë pasur efekt tek ai, sepse ato nuk janë gjuha ime, por janë pasoja që do t’i marrë Kosova, por edhe ai vetë së bashku me partinë e tij. Çdo sekondë tash e tutje është tepër pa u kthyer te kërkesa amerikane”, ka deklaruar Haradinaj në tëvë1.

Më tej, Haradinaj tha se nga përvoja e tij e mëhershme është shumë më e lehtë t’i vlerësojë këto situata aktuale me kohë.

“Në takimin e djeshëm jam munduar ta ballafaqoj Kurtin me dramat, sepse tani është një situatë e acaruar. Jam munduar ta kthej në realitet. I kam thënë mos shih ëndrra, hyn në temë”, tha tutje Haradinaj.

Gjithashtu, tha se para historisë ai ndihet i pastër, pasi sipas tij, Kurtin e ka paralajmëruar shumë më herët për ato që do pasojnë tutje.

Në takimin e djeshëm të kryeministrit Albin Kurti ishin të pranishëm edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Nga ky takim Haradinaj është larguar i pari duke thënë se Kurtin “po mbante ligjërata”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Punëve  të Jashtme, Donika Gërvalla, është takuar me…