Haradinaj, i zhgënjyer deri në palcë me qeverisjen e Kurtit

13 korrik 2022 | 17:24

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se ishte ndër të rrallët apo i vetmi që ka folur hapur se Kosova kishte nevojë për rotacion të pushtetit.

Ai ka thënë se kishte besuar që Albin Kurti dhe Vetëvendosje, do të ishin zgjidhje e duhur, por ka theksuar se sot është i zhgënjyer deri në palcë me qeverisjen e tyre.

“Po si nuk e kryen një punë të hajrit për një vit e sa që janë në qeveri!?  Si e bllokuan ligjin e pagave, që nuk është tjetër pos hajni ordinere ndaj mjekëve, mësuesve, policëve, ushtarëve, punëtorëve…”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka theksuar se me ligjin e ri të pagave të miratuar nga qeveria e tij, të cilin e ka bllokuar Albin Kurti, një mjek specialist do ta kishte pagën bazë 1 200 euro, ndërsa sot e ka 703 euro.

“Kjo i bie se qeveria Kurti, e ka dëmtuar secilin prej tyre nga 6 045 euro për vit. Natyrisht pa e kalkuluar inflacionin vjetor prej 14.1 për qind, i cili do të duhej të ishte harmonizuar me rritjen vjetore të pagave. Ngjashëm është edhe më të gjitha kategoritë tjera të të punësuarve, një numër jo i vogël i të cilëve tashmë e kanë marrë rrugën e mërgimit”, ka thënë Haradinaj.

Më tutje, ai ka thënë se nuk ka asnjë shpjegim logjik, sepse kjo qeveri nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për mbajtjen, sado kudo nën kontroll, të rritjes enorme të çmimeve.

“Qeverisë i janë rritur të hyrat, por u janë zvogëluar qytetarëve. Nga punët e qeverisë Kurti, kanë mbetur vetëm deklaratat qesharake të eksponentëve të saj, se ‘pagat në Kosovë janë rritur më shumë se sa çmimet’. Kam dashur shumë që kjo qeveri të ketë sukses, por ajo sot është shndërruar në qeverinë më antipopullore që ka pasur Kosova ndonjëherë”, ka thënë Haradinaj.

May be an image of 1 person and text

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar statistikat e…