Haradinaj ia parashtron disa pyetje Kurtit për energjinë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, gjatë seancës së sotme parlamentare ia ka parashtruar disa pyetje kryeministrit Albin Kurti, në lidhje më çështjen e energjisë.
Haradinaj, në fjalën e tij në Kuvend, ka theksuar se Kosova është në krizë energjetike edhe pse ajo nuk vërehet gjatë muajve të verës.
Më tutje, ai ka thënë se këto pyetje janë për masat që duhet të ndërmarrë qeveria që ta përballojmë krizën energjetike gjatë dimrit.
“Kosova është në krizë të rëndë energjetike edhe pse ajo nuk vërehet në këtë muaj të verës. Situata e Kosovës është e rënduar së pari nga heqja dorë nga ndërtimi i kapaciteteve energjetike me thëngjill. Po ashtu nuk premtohet një e ardhme më e mirë pasi është hequr dorë edhe prej gazsjellësit amerikan”.
“Andaj i kam drejtuar disa pyetje kryeministrit dhe janë si vijon: Cila është situata elektroenergjetike në vend? Në çfarë gjendje janë kapacitetet prodhuese energjetike në vend? A keni ndonjë strategji veprimi për përballimin e një sfide të mundshme energjetike? A keni shqyrtuar mundësinë që me lidh një marrëveshje krize me Shqipërinë për shkëmbim të energjisë? A keni ndonjë plan për krijimin e rezervave të karburanteve fosile ose për liberalizimin e tregut për burime konvencionale për ngrohje? Pra janë pyetje për masat që duhet ndërmarrë që ta përballojmë krizën energjetike në dimër që po vjen”, ka thënë Haradinaj.