Haradinaj: Ilir Konushevci e Hazir Mala, idealistë të lirisë
Kryeministri i Republikës Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në akademinë përkujtimore në Tiranë, me rastin e 20-vjetorit të rënies së dëshmorëve të kombit, Ilir Konushevci dhe Hazir Mala.
Ai ka thënë se Konushevci ishte një djalë i zoti dhe që vizionin për liri e kishte të thellë dhe josipërfaqësor.
“Iliri ishte një djalë shqiptar, i urtë, i zoti, që vizionin për liri nuk e kishte kopje të askujt”, ka thënë Haradinaj.
Më tutje, Haradinaj ka thënë se Konushevci ishte idealist i lirisë. “Iliri ka arritur që deri në ditën e rënies së vet që ne mos të dështojmë në terren. Ai ishte i lidhur me zgjerimin e luftës në zonën e Dukagjinit”, ka theksuar Haradinaj.
Ndërsa duke folur për Hazir Malën, Haradinaj ka thënë se ai vinte nga një familje intelektuale.
“Haziri nuk ishte një djalë që e kishin kapur emocionet dhe ishte bërë pjesë e UÇK-së, por ishte një djalë intelektual, prej një familjeje intelektuale. Pra inkuadrimi i tij nuk ishte rastësi. Familja e Hazir Malës ishte një bazë e fuqishme dhe e respektueshme për UÇK-në”, ka thënë Haradinaj.
Në këtë akademi përkujtimore kanë marrë pjesë edhe ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, kryetari i OVLUÇK-së, Hysni Gucati, ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Bejtush Gashi, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).