Haradinaj: Incidentet e 2-3 ditëve të fundit në veri, tregues se mund të ketë pasoja në këtë pjesë
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar sot pasi brenda dy dite janë djegur pesë vetura në veri të vendit me targa RKS.
Ai ka thënë se incidentet e 2-3 ditëve të fundit në veri, janë tregues serioz se mund të ketë një skenar të pengimit të zgjedhjeve në veri, me pasoja edhe për sigurinë në atë zonë.
“Refuzimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale atje, shpërfaq mosgatishmërinë e palës serbe që të zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel. Serbia dhe Kosova duhet që urgjentisht të fillojnë me përmbushjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit. Presidenti i Serbisë të heqë dorë nga destruktiviteti dhe t’i urdhërojë njerëzit e tij që të heqin dorë nga sulmet e dhunshme”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.
Ai njëkohësisht ka kërkuar nga BE dhe ShBA që të shfrytëzojnë gjithë mekanizmat e tyre që ta mbrojnë suksesin e arritur me Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të sponsorizuar prej tyre, si bazë e fortë e rivendosjes së rendit dhe ligjit në veri të Kosovës.
“Në të kundërtën angazhimi i jashtëzakonshëm i të gjitha palëve për këtë marrëveshje, do të mbetej përpjekje pa rezultat. Nëse marrëveshja nuk reflekton me një normalitet në terren, efektet e saj do të jenë të papërfillshme. Paqja në Kosovë është e paalternativë dhe inkurajoj të gjitha palët që të jenë të pakompromis në vendosmërinë e tyre për të mënjanuar të gjithë ata që e rrezikojnë edhe marrëveshjen edhe sigurinë”, ka thënë Haradinaj.