Haradinaj inicion Ligjin për vullnetarizëm
Në Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, në shenjë falënderimi për të gjithë vullnetarët në Republikën e Kosovës, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka ndërmarrë nismën për vendosjen e bazave të një sistemi dhe për krijimin e një ambienti më të favorshëm për zhvillimin e vullnetarizmit në Republikën e Kosovës, duke marrë vendim për krijimin e ekipit për hartimin e Koncept-dokumentit për Ligjin për vullnetarizëm në Republikën e Kosovës.
“Shteti duhet të njeh më shumë vlerën e vullnetarizmit në vend. Në Kosovë mund të ketë sukses ekonomik dhe social nëse Qeveria miraton nisma të politikave, ligjeve dhe rregulloreve, të cilat i promovojnë dhe shpërblejnë aktivitetet vullnetare”, ka deklaruar Haradinaj.
Zyra e Kryeministrit/Zyra për Qeverisje të Mirë, me përkrahjen e Projektit të Asistencës Teknike të BE-së, kanë kryer Studimin mbi Vullnetarizmin në Kosovë. Për të tejkaluar të gjitha sfidat e shpalosura në këtë raport, nevojiten zgjidhje dhe mundësi praktike nga shteti, pra, kërkohet të ndërmerren veprime për hartimin dhe miratimin e Ligjit mbi Vullnetarizmin.
Ligjit mbi Vullnetarizmin do t’i paraprijë koncept-dokumenti që do të:
• Përkufizojë parimet, kushtet, nxitjet, të drejtat dhe obligimet e vullnetarizmit,
• Caktojë përgjegjësi të veçantë në një institucion i cili do të mbikëqyr vullnetarizmin,
• Caktojë mekanizmat për monitorimin dhe vlerësimin e punës vullnetare,
• Përfshijë dispozitat mbi standardet etike dhe cilësore,
• Caktojë standardet dhe procedurat minimale për vullnetarizëm dhe do
• Vendos modelin e duhur të regjistrave për evidentimin e vullnetarëve, modelet e kontratave, certifikatat.
Përshtatja e vazhdueshme e standardeve të cilësisë në vullnetarizëm mund të arrihen vetëm nëse ato zhvillohen paralelisht me një infrastrukturë më të fortë dhe me mbështetëse të vullnetarizmit.
Zyra e Kryeministrit/Zyra për Qeverisje të Mirë dhe Zyra Ligjore në koordinim të plotë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrinë e Administratës Publike dhe institucionet tjera përgjegjëse për këtë fushë do ta marrin këtë përgjegjësi për hartimin dhe finalizimin e këtij dokumenti.