Haradinaj: Investimet në infrastrukturë japin efekt në ekonominë e vendit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë e përurimit të segmentit të 3-të Bibaj-Doganaj, të autoudhës R6 “Arbën Xhaferi”, të gjatë 11 kilometra.
Para të pranishmëve të shumtë, udhëheqësve institucionalë, ambasadorëve të akredituar në Kosovë, përfaqësuesve të kompanisë Bechtel & Enka, kryeministri Haradinaj tha se gëzimi i sotëm është i përgjysmuar, sepse gëzimin e plotë do ta kemi së shpejti në përfundim të kësaj rruge.
“Investimet në infrastrukturë janë të shtrenjta dhe për buxhetin e Kosovës janë obligim i madh, por edhe efektin e kanë të madh në ekonominë e vendit”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke shtuar se kjo infrastrukturë e ndryshon pozicionin e ekonomisë në raport me ekonomitë fqinje dhe ato më të largëta dhe investitorët që do të mundnin të investojnë në Kosovë.
Kryeministri ka theksuar se një parametër i rëndësishëm për investime, është koha, të cilën e shkurton infrastruktura e mirë.
“Kjo infrastrukturë, që do ta përmbyllim edhe në autoudhë tjera të vendit, na pozicionon ne më mirë se shumë ekonomi të rajonit”, është shprehur kryeministri Haradinaj.
Ai ka pohuar se është me rëndësi që Kosova të jetë e përgjegjshme dhe të mos dështojë në asnjë obligim në përfundimin e këtyre projekteve kaq madhore.
Kryeministri Haradinaj siguroi të gjithë se janë të vetëdijshëm për rëndësinë strategjike të këtyre projekteve duke qenë në nivel të obligimeve të marra, që të përmbyllen me sukses të gjitha projektet e nisura.