Haradinaj: Isha direkt me BE-në, presim lajme të mira për liberalizimin e vizave
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nënshkrimi i sotëm i deklaratës së përbashkët në Samitin e Sofjes dhe diskutimet që janë bërë aty flasin për një gatishmëri të BE-së për t’i çmuar reformat e arritura të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe t’i shërbejë ato me avancim në rrugën drejt kësaj bashkësie.
“Serbia dhe Mali i Zi janë në pozicion më të avancuar, ndërsa pritet hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë, kurse Kosova para vetes ka përgatitjen për status të kandidatit. Përpara kësaj është liberalizimi i vizave. Në samit u tha se nga vendet e Ballkanit Perëndimor pritet më shumë sesa që ato po bëjnë. Ballkani Perëndimor ishte temë e trajtimit të këtij samiti ku dhe Kosova është ishte palë dhe jemi paraparë si temë e interesimit. Edhe Presidenti [Borissov] dhe ata që folën për rajonin i dhanë peshë edhe progresit të Kosovës”, ka thënë Haradinaj gjatë një interviste për “Info Magazine” në Sofje.
Haradinaj ka thënë se pranimi si palë i Kosovës dhe progresi i arritur u respektua.
“Secili vend e ka një kërkesë të menjëhershme – Kosova e ka liberalizimin e vizave. Bisedova edhe me Presidentin e Francës, Macron, jo me kancelaren Merkel, por këshilltaren e saj. Ka ardhë koha që Kosovës t’i jepet lëvizja e lirë. Isha direkt aq sa munda që t’iu them se kemi nevojë për përkrahjen e juaj në këtë temë. Mendoj që institucionet e BE-së brenda javës do të na pranojnë zbatimin e të gjitha kritereve, pastaj janë vendet veç e veç, proces që mund të marrë edhe disa muaj. Nuk japin ‘hua’, pa i parë rezultatet e pritura”, ka deklaruar Haradinaj.