Haradinaj: Italia partnere e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike
Marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Italisë, janë dhe do të mbeten në nivel të shkëlqyer. Italia është afër Kosovës edhe si ndjenjë edhe si gjeografi. Ky ishte konstatimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë pritjes që i bëri sot ministres së Mbrojtjes të Italisë, Roberta Pinotti.
Kryeministri Haradinaj ka falënderuar ministren Pinotti, për kontributin e Italisë dhënë Kosovës në të gjitha etapat e zhvillimit, me theks në periudhën e pasluftës, duke kërkuar prezencën e tyre edhe më tutje përmes investimeve, pasi që Kosova ofron ambient të përshtatshëm për investimet e huaja.
Me këtë rast Haradinaj ka thënë se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve tona, Kosovës dhe Italisë, janë dhe do të vazhdojnë të thellohen në të gjithë fushat e interesit të përbashkët, duke theksuar se edhe vizita e ministres Pinotti, e dëshmon këtë.
“I gëzohemi investitorëve italian dhe duhet thelluar bashkëpunimi ekonomik, krahas miqësisë dhe bashkëpunimit politik me këtë vend. Italia e ka një aleat, Kosovën”, ka deklaruar ai.
Gjatë këtij takimi është biseduar edhe për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri dhe në këtë proces, kryeministri Haradinaj ka kërkuar mbështetjen e Italisë, pasi që kjo do të kontribuonte në forcimin e paqes dhe të stabilitetit rajonal.
Ndërsa ministrja e Mbrojtjes e Italisë, Roberta Pinotti, ka vlerësuar angazhimin e kryeministrit Haradinaj, duke thënë se Italia do të jetë përkrahëse e proceseve në rrugën e integrimeve euroatlantike të Kosovës.
“Italia ka qenë një nga vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe një nga misionet më të rëndësishme. Ky partneritet do të vazhdojë”, është shprehur Pinotti.
Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, ambasadori italian në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi dhe komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Salvatore Cuoci.
/Epoka e re/