Haradinaj: Jabllanica pagoi çdo çmim për t’i thënë “Jo” forcave pushtuese
“Jabllanica e atëhershme nuk ishte më vetëm shpresë, por u kthye në realitet, sepse kur ke hyrë aty ke qenë i mbrojtur dhe pikërisht për këtë nuk ka udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nuk e ka përfituar Shqipërinë, që nuk i ka ra të pushojë këtu, të vazhdojë e të kthehet prapë këtu”, kështu ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj në manifestimin përkujtimor me rastin e 20-vjetorit të çlirimit të Jabllanicës tash Shqiponjës, organizuar nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit.
Fillimisht, kryeministri Haradinaj ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Shqiponjë të Gjakovës.
Kryeministri Haradinaj, gjatë fjalës së tij ka thënë se kjo datë që e kujtojnë sot, është datë krenarie për shqiptarët, vendi, në të cilin gjenden sot, e ka dhënë provimin vet pa ndihmën e askujt nëpër vite, duke iu thënë “Jo”, forcave të armikut.
“Ishte një rast unik, kur një vendbanim i vogël, zonë e varfër, kishte vendosur të jetojë vet, pa u kyçur fare në pjesën tjetër të jetës, të paguaj çdo çmim, për t’i thënë ‘Jo’ forcave pushtuese”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj, duke shtuar se ai ishte një lajm trimërues për bashkëkombësit kudo në botë.
Kryeministri Haradinaj gjatë fjalës së tij në këtë manifestim përkujtimor ka thënë se Jabllanica, tash Shqiponja, kishte guximin dhe bindjen, që dinte shumë mirë qëllimin e armikut dhe për këtë, ky vend u bë një mit për shqiptarët, duke shtuar se gjithmonë, përmes kësaj adrese është zhvilluar gjithë ai proces i gjatë i përgatitjes dhe aftësimit të luftës.
Duke folur për sakrificën e shumë brezave të këtij fshati, të cilët u bënë luftëtarë, duke u kthyer në prijës të luftës dhe njerëz që kishin ndikim në proceset që vazhdonin për luftën, kryeministri ka theksuar se edhe çmimi për ta nuk ishte i vogël, sepse të qëndroje përballë makinerisë luftarake të Serbisë, nuk ishte e thjeshtë.
Haradinaj ka thënë se brezi i UÇK-së e gëzon tani të drejtën ta ndërtojë lirinë dhe po e ndërton atë. “Është fat i madh që brezat tjerë janë tani në obligim të një porosie, sakrifice, që ta ndërtojnë lirinë, ta ndërtojnë Kosovën”, është shprehur Haradinaj.
Nga një fjalë rasti në këtë manifestim mbajtën edhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, Hysni Gucati, në emër të shoqatave të dala nga lufta dhe Muharrem Gashi, në emër të familjarëve të dëshmorëve.
Pas manifestimit përkujtimor, kryeministri Haradinaj, mori pjesë në zbulimin e pllakës përkujtimore te kulla e ish-komandantit të UÇK-së, Lahi Brahimaj, pasi kjo kullë, por edhe kulla të tjera, kanë qenë celula të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
/Epoka e re/