Haradinaj: Jam i bindur se do të dimë të ecim rrugës së heronjve
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në akademinë përkujtimore në 20-vjetorin e rënies së heroit të Kosovës, Xhemajl Fetahaj dhe bashkëluftëtarit të tij, Milazim Shala, në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes 2019”, që është organizuar nën përkujdesjen e kryeministrit.
Duke evokuar kujtime nga e kaluara, kryeministri Haradinaj, ka thënë se janë mbledhur sot për të shprehur respektin për bashkëluftëtarët shumë të zot, heronjtë tonë që i ka bashkuar lufta për liri, që i ka bashkuar brigadë emblemë 138 “Agim Ramadani”, dhe që i ka bashkuar epopeja e UÇK-së në Koshare, epope e cila siç tha kryeministri, vërtet i ka dhënë dimension tjetër luftës sonë për liri.
“Secili nga ne mundohemi të nxjerrim në dritë të vërtetën për këta bashkëluftëtarë, sepse kemi çfarë të tregojmë për këta heronj të shquar dhe t’ua themi brezave”, është shprehur Haradinaj.
Në fjalën e tij para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Haradinaj, ka thënë se sa i përket familjes Fetahaj në Raushiq, është një familje që ka tradita të atdhedashurisë për atdheun dhe për kombin e që është e gjatë, ndër breza.
“Është një familje tipike shqiptare e çmuar dhe e respektuar nga të gjithë dhe nuk është aspak çudi që Xhemajli dhe gjithë familja janë ndodhur në vijat e para të frontit me fillimin e luftës kombëtare në Dukagjin, fillimisht në Gllogjan, pastaj zonat përreth”, ka thënë Haradinaj, duke theksuar se është me të vërtet një rast i çmuar dhe mirë i paraqitur se si një familje shqiptare me atdhedashuri të ngulitur në vete nëpër dekada e breza, menjëherë kur është shfaqur nevoja për t’i dalë zot atdheut, janë mobilizuar vet, kanë shkuar për furnizim dhe kanë ndihmuar furnizimin e vendit të vet, të atyre trevave dhe bashkëluftëtarëve të tjerë, duke përkrahur vijat e para të luftës.
“Bëhet fjalë për ata që nuk kanë pritur që dikush t’i ftojë në luftën për liri, për të drejtën e atdheut, por ishin vetë aty”, ka thënë Haradinaj.
Duke folur për periudhën e luftës, kryeministri Haradinaj ka thënë se Baballoqi ka përjetuar intensitetin më të madh të luftimeve menjëherë në fillimet e vitit ’98, dhe gjitha popullata e atij vendi pësoi goditjet dhe vuajtjet e para.
“Nuk është rastësi që një djalë nga Baballoqi ka ndodhur krah për krah me Agimin, Saliun, Xhemajlin dhe me gjithë të tjerët përballë armikut, duke mos hequr dorë nga e drejta e tyre për liri”, ka thënë Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj, në fjalën e tij para të pranishmëve, ka thënë se është nder që çdo herë të bëhemi bashkë dhe të nderojmë heronjtë tanë, ta nderojmë rrugën e tyre deri në liri dhe të shprehim respekt jo vetëm për aktin e flijimit të tyre, por për të gjithë kontributet e çmuara që e bëjnë popullin tonë kudo që është që të mburret për rrugën tonë deri në liri.
“Ndërtimi i lirisë, forcimi i shtetit tonë është një proces, kërkon sfida, njerëz të sakrificës, njerëz që kanë dhënë besë dhe kanë besnikëri ndaj bindjeve për liri, për atdhe dhe për shtet dhe unë jam thellë i bindur se do të dimë të ecim rrugës së heronjve dhe do t’i nderojmë ata përjetësisht”, ka thënë Haradinaj.
Nga një fjalë në këtë akademi përkujtimore e mbajtën edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa në emër të Brigadës 138 “Agim Ramadani” ka folur ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha.
Në emër të familjarëve, të pranishmit i ka përshëndetur Erëza Fetahaj, vajza e heroit Xhemajl Fetahaj.
/Epoka e re/