Haradinaj: Jam mirënjohës për qasjen konsistente të Britanisë kundër ndryshimit të kufijve
Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se është mirënjohës dhe falënderues për çasjen konsistente të Qeverisë së Britanisë së Madhe ndaj “idesë luftënxitëse e destabilizuese të ndryshimit të kufirit të Kosovës me Serbinë, si pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me shtetin fqinj”.
“Në debatin e sotëm për Kosovën në Parlamentin Britanik, ministri për Evropë Sir Alan Duncan e cilësoi si tejet të rrezikshëm për Ballkanin, debatin për ndryshimet e kufijve, që do të shfrytëzohej si presedan nga palët e treta”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Kryeministri Haradinaj ka theksuar se kufijtë në Ballkan nuk janë perfekt, dhe lëvizja e tyre është shumë e ndjeshme dhe e rrezikshme.
“E përsëris se Kosova është e interesuar për marrëveshje me Serbinë, e cila do të rezultojë me njohje reciproke brenda kufijve aktual të 17 shkurtit 2008”, ka shkruar Haradinaj.