Haradinaj: Janë sanksione ekonomike ndaj Serbisë ato që kemi bërë sot
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të vendosë një masë prej 10 % për disa produkteve që importohen nga Serbia.
Pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se shteti fqinj ka qasje armiqësore dhe se kjo është kundërpërgjigje ndaj tyre, njofton Klan Kosova. “Sot e kemi marrë një veprim të tillë sepse kemi obstruksione të jashtëligjshme nga Serbia, kërcënime ndaj qytetarëve të pafajshëm të Kosovës pse djali apo vajza e tyre është bërë pjesë e FSK-së. Ndryshe do të dramatizohen proceset për plotë tema, por Kosova është kjo që është. Nuk ka lëkundje që nuk do të ecim përpara”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se për shkak se një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare beson se çdo gjë e zgjidh tavolina e dialogut, e vërteta është se Serbia ka qasje armiqësore. “Në raste të caktuara nëpër botë kështu i vendosen sanksione vendeve. Serbia qindra miliona euro bën treg në Kosovë. Duhet ta kenë marrë mësimin sot, ne do të qëndrojmë afatgjatë. Do të ndodhë reflektimi. Janë sanksione ekonomike ato që kemi bërë sot”, është shprehur ai.