
Haradinaj: Jemi dëshmitarë të një qeverisjeje që ka cenuar dhe shkelur Kushtetutën
Në Ditën e Kushtetutës, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, ka thënë se qeveria në katër vitet e fundit ka cenuar dhe shkelur Kushtetutën.
Sipas tij, kjo ka ndodhur përmes vendimeve arbitrare e antikushtetuese, dhe përmes mospërfilljes së hapur ndaj saj.
Në Facebook, Haradinaj tutje thotë se është i domosdoshëm një ndryshim rrënjësor i mentalitetit qeverisës, një kthesë drejt një qeverisjeje që respekton Kushtetutën jo vetëm në letra, por në çdo vendim dhe veprim, që e sheh ligjin si instrument për të shërbyer qytetarëve, e jo për t’i sunduar ata, transmeton Periskopi.
“Sot, Republika e Kosovës shënon Ditën e Kushtetutës, dokumentin themelor të shtetit, që buron nga lufta çlirimtare dhe nga shpirti liridashës i popullit tonë. Pikërisht nga ky parim është ndërtuar një Kushtetutë moderne, që lartëson të drejtat e njeriut, garanton barazinë për të gjithë qytetarët pa dallim dhe siguron mbrojtjen e pakicave. Ajo është themeli i demokracisë sonë dhe gardiane e pathyeshme e parimeve të lirisë, drejtësisë dhe rendit kushtetues. Në katër vitet e fundit jemi dëshmitarë të një qeverisjeje që në mënyrë të përsëritur ka cenuar dhe shkelur Kushtetutën, qoftë përmes vendimeve arbitrare e antikushtetuese, qoftë përmes mospërfilljes së hapur ndaj saj. Është i domosdoshëm një ndryshim rrënjësor i mentalitetit qeverisës, një kthesë drejt një qeverisjeje që respekton Kushtetutën jo vetëm në letra, por në çdo vendim dhe veprim, që e sheh ligjin si instrument për të shërbyer qytetarëve, e jo për t’i sunduar ata. Urime Dita e Kushtetutës”, ka shkruar kreu i AAK-së.